Priboc

  1. Kisha në Priboc
  2. Pllaka në hyrje të fshatit Priboc
  3. Varrezat e vjetra dhe varri musliman
  4. Lisat tek varrezat
  5. Vendbanim i vjetër
Advertisements

3 Përgjigje to “Priboc”

  1. Ismet Tafili 14 Qershor, 2014 te 7:28 am #

    Ju pergezoje per punen shume te çmuar qe e keni bere , ne te gjitha fshatrat e komunes se Bujanocit. Hulumtimi dhe evidentimi i vlerave te trashegimise, jo vetem qe pasqyrone punen tuaj dhe deshmite e shumta per vlerat kulturore dhe jeten e shqiptareve sot ne keto troje, por deshmojne edhe qyteterimin e lashte, ekzistimin me mijera vite me pare ne keto troje te parardhesve tone pellazgo -iliro- arberor, mençurine, zhvillimin kultuturor, ekonomik e shoqeror, aftesine krijuese dhe shkencore te tyre. Pra te gjitha keto vlera jane percjellur te pasardhesit e tyre, pra te shqiptret, edhe pse gjate gjithe historise, pushtuesit e ndryshem jane munduar te na e zhdukin historine, trashegimine tone, qe ka qene edhe synim i armiqeve, por, megjithate vazhdimesia eshte ruajtur, dhe sot kemi deshmi te shumta per keto lidhje te forta te shqiptareve me paraardhesit tane, liro dardane.
    Ismet Tafili Priboc, Gjilan

  2. Ismet Tafili 14 Qershor, 2014 te 7:37 am #
    ISMET TAFILI PRIBOCI VLERA TË TRASHËGIMISË KULTURORE Shtëpia botuese: _____________ Ismet TAFILI _____________________________________________________________________ PRIBOCI VLERA TË TRASHËGIMISË KULTURORE Për botimin e këtij libri ndihmoi ______________________________ Ismet TAFILI PRIBOCI VLERA TË TRASHËGIMISË KULTURORE Shtëpia botuese _____________ Redaktor: _______________ Botues: ________________ Lektor:_________________ Shtëpia Botuese __________ Dizajni_________________ Në vend të parathënies Duke qenë punëtor i QRTK-së, duke u përballur çdo ditë me trashëgiminë kulturore, jo vetëm si term, duke vizituar objekte të ndryshme kulturore të Rajonit të Gjilanit, duke prekur dhe ndjerë njëkohësisht forcën e trashëgimisë, Ismet Tafili, u nxit vetvetiu për të shkruar për trashëgiminë e fshatit të tij, me qëllim që të shpërfaqë disa nga vlerat e trashëgimisë kulturore edhe të rajonit të Hashanisë, në të cilin rajon bën pjesë Priboci. Në të vërtetë, si duket për këtë ndërmarrje ka ndikuar jo pak nostalgjia për fshatin. Nga Priboci dhe fshatrat e tjera të Hashanisë, në kohën e Millosheviqit, e veçmas gjatë vitit 1999, kur UÇK-ja po zhvillonte luftën çlirimtare, janë shpërngulur me dhunë gati të gjithë shqiptarët. Bile, në Proboc, sot jetojnë vetëm dy familje. Duke u kthyer në fshat, në një takim të vendlindjes që tashmë ka marrë një fizionomi, pribocasit i janë kthyer lojërave e këngëve popullore, meseleve e tregimeve për kohën e shkuar të cilat edhe në vendet ku janë duke jetuar tash (përgjithësisht në vendet rurale) nuk i kanë harruar për asnjë çast dhe, të gjitha këto performanca marrin frymë edhe në këtë shkrim të Ismet Tafilit. Të dhënat për Pribocin janë shoqëruar edhe me disa toponime të fshatit, të cilat janë trajtuar më thellësisht, si; Selishta, Te Kisha, Varret e fshatit, Varrezat në Selishtë, Dushku i Mates, gurët mbivarrezorë, etj., ndërsa një mikrotoponomi e sjell në këtë libër, sikur ka sforcuar interesimin e Ismet Tafilit për të dëshmuar autoktoninë shqiptare në Priboc dhe më gjerë në Hashani. Një vëmendje të veçantë, Ismet Tafili i ka kushtuar trashëgimisë arkitekturore të shtëpive të fshatit, duke mos harruar të flasë edhe për plemet, rrethojat e oborrit, dyert e oborrit, mullinjtë etj. Edhe trashëgimia e luajtshme zë vend në libër, e cila përfaqësohet me hambarët, koshat dhe punimet tjera artizanale nga vetë vendësit, si: parmenda, mokna, zgjedha për gjedhe, grabuja, sfurqe etj., pra kryesisht është fjala për vegla bujqësore. Pastaj, jo vetëm janë përmendur: lugët e drunjta, sofrat, magjet etj, të cilat Ismeti, edhe i ka përshkruar ato, por edhe ka folur për mënyrën e përdorimit, punimin nga vet dora e pribocasve, sikundër edhe për mjeshtrit e tyre. Ndërsa, trashëgimia shpirtërore është përfaqësuar me disa nga vallet popullore që kërcehen në Hashani, pra edhe në Priboc, me lojërat popullore, gojëdhënat dhe anekdotat që janë të shumta në këtë trevë etj. Veshjet popullore, si të burrave, si të grave janë shoqëruar edhe me fotografi, krahas përshkrimit të tyre, si përbërja, forma, ngjyra, vegla me të cilën punohen etj. Përgjithësisht, libri Priboci, Vlera të Trashëgimisë Kulturore, do të jetë një nxitje për angazhime serioze për trajtimin e vlerave të trashëgimisë, jo vetëm të Pribocit. Sherafedin Kadriu HYRJE Duke ditur se deri më tash, (aq sa jam i informuar unë) për trashëgiminë e fshatit Priboc nuk ka shkruar askush, do të mundohem që në shkrimin e mëposhtëm të jap një kontribut të vogël për trashëgiminë kulturore të fshatit, me të vetmin qëllim që të nxjerr në pah një pjesë të trashëgimisë shqiptare të fshatit dhe të trevës së Hashanisë, njëherazi t’i nxis të tjerët, që në të ardhmen të merren me të, sidomos ekspertët e fushave të caktuara të kulturës, në mënyrë që ajo trashëgimi që ka ekzistuar dhe që ekziston të qitet në letër dhe t’u lihet trashëgim dhe dëshmi gjeneratave të ardhshme, si një pasqyrim i pasurisë të së kaluarës sonë të lashtë. Këto shënime janë mbledhur së voni, një interesim që lindi nga nostalgjia për fshatin që po mbetej i shkretë, po mbetej pa banorët e tij, sepse tashmë kishte ndodhur dëbimi masiv i probocasve, nga forcat ushtarako –policore të Millosheviqit pas vitit 1999, sikundër kishte ndodhur me gjithë popullatën shqiptare të Malësisë së Bujanocit. Fshati Priboc bën pjesë në të ashtuquajturën trevë e trashëgimisë së Hashanisë, e cila shtrihet në skajin më lindor të Gollakut. Popullsia e fshatit dhe e krejt Hashanisë zakonisht merrej me veprimtari agrare e blegtorale. Po kështu ndodh edhe me ato pakëz familje që ende qëndrojnë në truallin e të parëve. Punimi i tokës dhe rritja e bagëtisë për popullatën e kësaj treve dhe të fshatit Priboc, ka qenë gjithmonë punë që bëhej me dinjitet e punë për të mbijetuar. Struktura etnike e popullsisë është homogjene, sepse në Priboc dhe në të gjitha fshatrat e Hashanisë, gjegjësisht të Malësisë së Bujanocit, që nga kohërat më të vjetra, popullsia, gjithmonë ka qenë autoktone shqiptare, dhe nuk mbahet mend nga askush, se këtu ka jetuar popullatë tjetër. Asnjëherë ky vend nuk ka mbetur pa banorë, edhe pse në periudha të caktuara historike është zvogëluar popullata deri në minimum, si rezultat i pushtuesve e i jetës së rëndë që krijonin ata, duke mos investuar në asnjë fushë të jetës me qëllim të caktuar; që kjo popullatë shqiptare të largohet nga vatrat e veta. Kështu, pra kjo trevë rrezikohej të mbetej pa asnjë banor e momenti më i vështirë ishte ai i vitit 1999, atëherë kur ushtria, xhandarmëria dhe policia serbe e dëboi me forcë tërë popullatën e kësaj ane. Megjithatë, as këtë herë ky vend nuk mbeti pa asnjë familje shqiptare. Pra, edhe në këtë periudhë arritën të mbijetojnë 10-16 familje, numër ky që edhe sot ekziston, me tendencë pozitive, që këtij vendi t’i kthehen banorët e vet, ashtu siç ka filluar të ndodhë viteve të fundit të dekadës së parë të shek. XXI. Sa i përket trashëgimisë kulturore, përkundër këtyre momenteve kritike, përkundër ndikimeve të kulturave të popujve tjerë, gjegjësisht të pushtimeve të huaja: turke, bullgare, serbe etj., popullata shqiptare ka arritur të ruajë, pothuajse tërësisht, mënyrën e jetesës, punës, veshjeve, këngëve, ndërtimeve etj. me një fjalë e ka ruajtur trashëgiminë autoktone shqiptare, duke mos përjashtuar ndikimet e vogla të kulturave të huaja. Kultura, në veçanti trashëgimia kulturore e krijuar me shekuj, ka evoluar krahas të gjitha transformimeve shoqërore, ekonomike, kulturore, arsimore etj. Kështu, shumë elemente të kulturës shqiptare të kësaj treve, sot përkojnë me kulturën e paraardhësve tanë ilirë. Pra, kemi të bëjmë me një kulturë e cila gjurmët e saj i ka nga e kaluara historike mjaft e largët. ***** Të dhëna të shkurtra për Pribocin Fshati Priboc, sot i takon komunës së Bujanocit. Bën pjesë në fshatrat e Malësisë së Bujanocit. Shtrihet në pjesën veriperëndimore të Bujanocit. Kufizohet, në lindje me Zarbicën, në jug me Ramabuqën, në jugperëndim me Qarrin, në perëndim me Sedllarin dhe në veri me Lajçiçin e Desivojcën. Shtrihet në një sipërfaqe prej 823 ha, 450 ari e 93 m. katror. Ka 836 parcela kadastrale me 111 fletë poseduese. Është vend kodrinoro –malor. Lartësia mbidetare arrin 1202 m. në vendin e quajtur Skuta. Në vitin 1952, padrejtësisht, Priboci dhe Zarbica iu shkëputën Kosovës, gjegjësisht komunës së Dardanës (Kamenicës) dhe iu dhanë Serbisë, përkatësisht komunës së Bujanocit. Numri i banorëve sipas regjistrimeve të pas Luftës së Dytë Botërore, paraqitet kështu: “Në vitin 1948 fshati kishte 381 banorë, në vitin 1953-428, në vitin 1961-489, në vitin 1971-452, në vitin 1981-458 dhe në vitin 1991 kishte 401 banorë” . Fshatin Priboc e përbëjnë gjashtë lagje: Lagja e Kekëve (Kekajve), lagja e Sadikëve (Sadikajve), Lagja e Karadakëve (Karadakajve, ndryshe quhen edhe lagja e Kolosjanëve), lagja e Huruglicëve (Huruglicajve), lagja e Vrenezëve (Vrenezajve) dhe lagja e Faneve (Fanajve). Edhe fshati Priboc, gjegjësisht banorët e fshatit, në periudha të ndryshme historike kanë pësuar shkatërrime, likuidime, burgosje dëbime vrasje etj. Për këto flasin vetë banorët e fshatit, libra të ndryshëm, web faqe, shkrime të gazetave etj. Jeta në fshatin Priboc dhe në të gjitha fshatrat e Malësisë së Bujanocit daton qysh nga kohët më të lashta, që nga koha ilire e parailire. Dëshmi të vërtetuara me saktësi, se nga cila kohë ka qenë i populluar ky vend nuk ka, sa nga pamundësia e hulumtimit nëpër arkiva, sa nga mos vullneti i marrjes seriozisht me çështjen e fshatit tonë, po aq edhe në mungesë të mjeteve materiale. Se duket, të ketë qenë Priboci i banuar qysh nga kohët më të hershme, e vërteton edhe qyteti i Artanës i cili nuk është larg nga këtu, një nga qytetet më të lashta e më të zhvilluara edhe në kohën romake, pastaj edhe disa festa, të cilat janë kremtuar denbabaden, e sidomos ajo e Shën Gjergjit që në këtë anë quhet Shingjergji dhe Shën Mitri që populli e shqipton Sh’mitër Gjurmë të dëshmive, se këto treva kanë qenë shqiptare që nga kohërat më të vjetra mund t’i hasim te toponimia (emërtimet e vendeve) dhe te antroponimia (mbiemrat e familjeve) e fshatit, p.sh. Përroi i Kevës, Selishta, Kolosjanët, Fanet, Vrenezët etj. Keva, të gjithë e dimë se ka qenë një vendbanim i vjetër më se 2000 vjeçar. Pastaj vendi te kisha. Edhe kjo tregon se këtu kanë jetuar besimtarët katolikë shqiptarë. ….” Toponimi Selishtë Toponimi Selishtë, që është një emërtim i një livadhi dhe are në mes të fshatit, e që pothuajse është vend i rrafshët, sot pronë e Tefik Dervishit, si duket është një emërtim shumë i vjetër që e hasim edhe në Anamoravë. Ky emërtim, Selishtë, gjendet edhe si antroponim i toponimizuar i një lagjeje të fshatit Kranidell, (p.sh. Asllan Selishta- I. T. ) fshat i komunës së Dardanës, që është pothuajse ngjit me fshatin Priboc. Po ashtu si të tillë e hasim një fshat afër Zhegrës, në disa vende të fshatrave tjera, kuptohet më të vogla, dhe në të tilla raste bëhet fjalë për mikrotoponime. E hasim në Pogragjë, në të majtë të rrjedhës së Moravës, përballë fshatit, pastaj Selishtë, ka në Bilinicë, Budrigë të Poshtme, Livoç të Epërm, Verbicë të Zhegocit etj” . Këto vende me emërtim Selishtë, zakonisht janë tokë buke, livadhe që japin bar shumë, por edhe gjatë kohës së lëvrimit të arave, në vjeshtë dhe në pranverë janë gjetur qeramikë të ndryshme, materiale ndërtimore p.sh. në Pogragjë. ”Pastaj në afërsi të tyre kanë qenë të ndërtuara edhe rrugë të vjetra, janë hasur varreza të vjetra katolike ku ka pasur edhe mbishkrime të emrave, si Elza” (fshati Bilinicë) etj. Pra, toponimi Selishtë që haset në fshatin tonë gjendet edhe në fshatrat përreth, në fshatrat e komunës së Gjilanit etj. Është pra, një toponim që flet për vendbanime të hershme. Dëshmi se këto vende, po edhe fshati Priboc, kanë qenë të banuara me popullsi shqiptare ekzistojnë në shkrime e harta të ndryshme. Dr. Baftjar Kryeziu, duke trajtuar këtë problematikë në librin e tij “Onomastika e Hashanisë”, ka konstatuar se Fshati (Priboci – I.T.) përmendet që nga viti 1455 kur kishte tri shtëpi. Përndryshe, autori ka cituar “Orientalni Institut, Obllast Brankoviça, Sarajevo 1972, 205”. Dëshmi tjetër për lashtësinë e fshatit mund të konsiderohet me të drejtë edhe harta e vjetër e perandorisë Osmane e viteve 1530 që gjendet në duart e pribocasve, ku është shkruar emri i fshatit Pribovça . Nga kjo mund edhe të konkludojmë se, ekzistimi i Pribocit nuk mund të përcaktohet nga botimi i një harte apo nga viti 1455, kur kishte tri shtëpi, ngase për ta paraqitur në hartë një vendbanim, ai duhet të ketë ekzistuar shumë më herët, ose është marrë nga ndonjë hartë tjetër më e vjetër etj. Pas përfundimit të luftës së vitit 1998/99 në Kosovë, forcat policore -ushtarake serbe u vendosën edhe në fshatin Priboc. Të mllefosur me humbjen në Kosovë ata maltretuan, rrahën dhe në fund me dhunë i detyruan të largohen të gjithë qytetarët e fshatit nga vatrat e veta. Ashtu siç u dëbuan shqiptarët, ashtu edhe u dëmtua trashëgimia e tyre e krijuar me vite e shekuj. Dora punëtore dhe artistike e pribocasve ka ditur të dhurojë vlera trashëguese, të cilat u dëmtuan sa nga armiku, aq edhe nga dhëmbi i kohës. Të parët e pribocasve, por edhe pasardhësit e tyre kanë qenë dhe janë mjeshtër të fushave të ndryshme, duke filluar nga mjeshtëria e ndërtimit të shtëpive me gurë e me dru, (Rizah Rexhepi, Ramiz Abdullahu, Zahir Tafili, Hasani i Ilazit, Muharremi i Sulës, Rexhepi i Azemit, Shaqir Fetahu, Haki Krasniqi etj).; xehetarë (kanë punuar në xehen e Sedllarit prej vitit 1951-1957, Tefik Dervishi, Mani i Ahmetit, Smajl e Xhemail Krasniqi, Shaip Ramadani etj.); ndezës minash (Tefik Dervishi i ka ndezë minat në hapjen e rrugës Muhoc –Zarbicë); punues të nallaneve (nalle, apo papuçe të drurit), mjeshtër të tillë kanë qenë Zahir Tafili, Shabani i Feratit, Kadriu i Muratit, Hakiu, Fetahu e Hamdiu të Bilallit, Meti i Muratit, Smajli i Aliut, Ramiz Abdullahu, Fehmiu i Shitit, Rizah, Habim e Isa Sadiku. “….zeja e punuesve të nallaneve, trajtohet në punimin e Drita Statovcit “Zeja e nallanexhijve në Kosovë”. Pasi jep një historik të shkurtër të zhvillimit të kësaj zeje, nga të dhënat e pakta të fillimit të shek. XX deri në ditët tona, autorja e punimeve flet për mjediset e ushtrimit të kësaj zeje, lëndën e parë dhe veglat për prodhimin e nallaneve, proceset e punimit, tipat e nallaneve e terminologjia e tyre, shitja e tyre, si dhe për disa dukuri shoqërore e zakonore dhe për shpërndarjen gjeografike të zejes së nallanexhijëve e gjendjen e sotme në Kosovë. Kjo degë e artizanatit popullor, që sipas autores së punimit në Kosovë është ushtruar vetëm nga shqiptarët, është interesante dhe me vlera shkencore” . Priboci kishte tregtarë, (Hyseni i Smajlit, Xhaviti i Jahirit, Halimi, Beqiri i Dautit etj.); kuzhinierë të mirë (kanë përgatitur gjella për dasma, Hysen Hyseni, Fazli Murati, Ibrahim Sopi etj.); bletarë; blegtorë; kopshtarë; pemëtarë të mirë; shartues të fidanëve të të gjitha llojeve; pastaj, kositës; lavërtarë; punues të parmendave; të fuqive të drurit (kacave); gjuetarë. Kanë qenë mjeshtër të qethjes së bagëtive; ruajtës dhe garues të kuajve; mullisë të mirë (ndërtues të mullinjve); kanë ditur të thurin jashtëzakonisht mirë gjerdhe (gardhe); valltarë të njohur (Shefkiu i Bislimit e Shefkiu i Isufit); këngëtarë; punues të instrumenteve popullore: çifteli (Zahir Tafili). “Tradita e punimit të veglave muzikore në popullin tonë njihet që në kohët e lashta. Nga të dhënat që kemi “disa fise ilire shquheshin veçanërisht për punimin e veglave muzikore”-2. Lënda që përdor për ndërtimin e lahutës merret në mjedisin rrethues ku ai jeton” . Kanë ditur të luajnë mirë në kavall (Azemi i Selimit, Zymberi i Bekës, Shukri e Fazli Murati, etj.), e fyell (Ramizi i Jahirit, pastaj pothuajse të gjithë pribocasit), pastaj krijues të anekdotave e tregimeve të ndryshme. Njihen si sharrëxhinj; samarxhi (Elmaz Sopi, Latif Dervishi); punues të lugëve të drurit (Rizah Sadiku), pra, përgjithësisht ishin mjeshtër të përpunimit të drurit. Ata përgatitnin lamën, fshinin dhe hidhnin drithin me mjete të cilat i punonin vetë etj. Krahë tyre, që nuk mbeteshin hiç më pak punëtore se burrat, ishin edhe gratë dhe vajzat pribocase. Ato përveç që i rrisnin fëmijët e shëndetshëm, merreshin edhe me punë artizanale – qëndisnin me gjilpërë, punonin në vek, ishin rrobaqepëse mekanike (me dorë), qilimpunuese dhe janpunuese, përpunuese të leshit, ishin edhe këngëtare dhe valltare të mira (zakonisht këndonin në dasma dhe dinin shumë këngë), përgatitnin prodhimet blegtorale me cilësi të lartë (djathë, gjizë, gjalpë, kos, tëlyen, e prodhime tjera të ndryshme), ishin përpunuese të reçeleve të ndryshme etj. Gratë, gjithashtu kanë ditur të bëjnë edhe vegla pune nga dheu i kuq (bota) (çerep, vegsha, pjata) etj. Varrezat kryesore të fshatit dhe gurët mbivarrezor Si duket, për shkak të numrit të vogël të banorëve e rrjedhimisht për shkak të fuqisë ekonomike të familjeve të fshatit dhe mungesës së vullnetit të pushtetit, në vazhdimësi, në fshatin Priboc nuk ka pasur mundësi të ketë xhami në fshat. Megjithatë, ceremonitë fetare i kanë kryer në xhaminë e fshatit Zarbicë, sikurse veprojnë edhe tash ata pak banorë që kanë mbetur. Ndërsa, fshati gjithherë ka pasur klerikë fetarë (një ndër ta ka qenë Mulla Osmani) që i kanë kryer disa nga ceremonitë fetare në fshat, si faljen e taravive, si dhe ritet tjera islame. Ka pasur raste kur në periudha të ndryshme, disa nga ceremonitë fetare i kanë kryer në disa nga shtëpitë e fshatit, të cilët i kanë lëshuar banorët enkas për këto raste. Fshati Priboc, për shkak të shtrirjes territoriale bukur të madhe dhe shtëpive të shpërndara, me qëllim që kufomën mos ta bartin larg, kanë disa vendvarrime, ose disa varreza. Varrezat kryesore të fshatit gjenden në fund të fshatit, në lagjen e Vrenezajve, pastaj varrezat, Te Guri, afër shtëpive të Dikajve, varrezat e Sadikajve që gjenden në lagjen e Sadikajve dhe varrezat e lagjes së Huruglicajve. Në këto varreza gjenden varret e të parëve tanë që prej kohëve të lashta. Kështu, në këto varreza vërehen varre shumë të mëdha, krahasuar me varret e sotme, ndërsa nuk ka as edhe një legjendë se për çfarë arsye janë të tilla. Dëshmi që kanë mbetur nga këto varreza edhe sot, janë disa gurë mbivarrezorë me mbishkrime arabe dhe disa të tjera pa mbishkrime. Njëri ndër këta gurë mbivarrezor, pas leximit që i është bërë, përveç tjerave, shkruan: “E ndjera Alije e bija e Mustafasë për shpirt të saj….viti 1223”, ky vit është sipas Hixhrit . Duke llogaritur se fundi i vitit 2010, është viti 1432 sipas Hixhrit, atëherë, përafërsisht mund të themi, se ky gurë mbivarrezor i ka 209 vjet. Për këtë varr dhe gurë mbivarrezor, Ramiz Abdullahu na tregon se si Osmani i Idrizit, i cili ishte hoxhë, i kishte treguar për vjetërsinë e këtij varri. “Kur ishim në Priboc, xhumanë e falnim në xhaminë e Zarbicës. Dhe duke u kthyer në shtëpi me Osman Idrizin, shpesh pushonim te varrezat. Njëherë ai, në vitet e shtatëdhjeta, deri sa ishim duke pushuar, na e kishte lexuar një mbishkrim në gurin e një varri ( ai dinte të lexonte arabisht). Na kishte thënë se ky varr është i vjetër 200 vjet dhe është i lagjes së Kekëve. Sipas kësaj, tash ky guri duhet t’i ket 240 vjet” . (Si duket ka qenë një ngatërrim në lexim ose ka qenë ndonjë gur tjetër-I.T.) Varrezat afër Selishtës, poshtë objektit të shkollës së re Në lindje të livadheve dhe arave të quajtura Selishtë, poshtë shkollës së re, në lëndinë, në pronë shtetërore, gjenden varreza të cilat gati janë rrafshuar dhe vështirë dallohen. Por, banorët e dinë se ato janë varreza shumë të vjetra, ani pse nuk e dinë të kujt janë dhe cilës kohë i përkasin saktë. Në këto varreza shihen gurë të mëdhenj varrezorë, dhe duken sikur janë rrasa të mëdha prej guri të vendosura mbi varre, që kurrsesi nuk mund të peshohen. Banorët tregojnë se, doktor Ilazi, veprimtari i Malësisë dhe ish i burgosur politik, nga fshati Novosellë, i cili interesohej për trashëgiminë, para shumë viteve kishte tentuar t’i hulumtojë këto varre, por kishte përfunduar pa sukses, sepse nuk kishte arritur të largojë gurët e rëndë që ishin mbi varre. Të gjithë banorët, pleqtë e të rinjtë e fshatit Priboc, thonë se ato varreza nuk janë të ritit mysliman dhe se nuk mbajnë mend se kanë varrosur ndonjë të afërm të tyre në to. Mendohet se ato varreza janë të shqiptarëve katolikë, prandaj edhe nuk i kanë përzier me shqiptarë myslimanë. Themele të kishës së fshatit Historikisht është dëshmuar se feja islame tek shqiptarët është përhapur me ardhjen e turqve në Ballkan, gjegjësisht me pushtimin e tokave shqiptare, prandaj edhe popullata shqiptare e kësaj ane, fenë islame e ka përqafuar pas ardhjes së turqve, ashtu siç ka ndodhur me shumicën e territoreve shqiptare. Kjo nuk do koment. Gjithashtu, para ardhjes së turqve dihet se popullata shqiptare kishte fe katolike e më pak ortodokse. Dhe për t’i realizuar ceremonitë fetare kishin ndërtuar kisha. Një e tillë ishte e ndërtuar edhe në fshatin Priboc, në këtë fshat mjaft të thellë malor. Kjo kishë, sot nuk ekziston, por themelet e saj janë ende, dhe vendi rreth kishës, nga banorët e fshatit, quhet “Te Kisha”. Ashtu siç është e dëshmuar gjatë historisë për tolerancën fetare të shqiptarëve, edhe në fshatin tonë është dëshmuar kjo, ngase vendet dhe objektet fetare të çfarëdo riti, janë konsideruar si të shenjta, prandaj edhe nuk janë dëmtuar kurrë nga shqiptarët. Kjo nuk mund të shpjegohet ndryshe edhe te pribocasit, sepse sot e kësaj dite, asnjëherë nuk kanë tentuar t’i zhbijnë themelet e kishës dhe as t’ia ndërrojnë emërtimin e vendit rreth kishës në Priboc, edhe pse, të gjithë banorët kanë qenë dhe janë të konfeksionit mysliman. Vendi ku sot janë themelet e kishës, është vend i ngritur, ndërsa pak më poshtë, rreth e përqark është tokë e rrafshët, tokë mjaftë e mirë, më pjellorja e fshatit. Themelet e kishës ende ekzistojnë. Mbi sipërfaqen e tokës ende vërehen gurë të themeleve të saj. Deri më tash nuk është bërë ndonjë gërmim apo hulumtim, për të vërtetuar vjetërsinë e saj. Ndërsa numizmologu, Rexhep Kadriu pas një vizite që i ka bërë këtij vendi, në themele, ka gjetur monedha turke . Shihet se kjo ka qenë kishë e vogël. “Nga rrënojat respektivisht mbetjet materiale në kishat e tilla, mund të konstatojmë se fjala është për kisha të thjeshta, njënefshe, të mbuluara me çati druri. “Kishat e tilla ishin të lehta për ndërtim, përbëheshin nga pjesa hyrëse, naosi, anijata dhe absida. Planimetria e këtyre kishave ishte kryesisht katërkëndëshe, njënefshe, me dimensione: 8 x 6 m dhe me perimetër muri prej 60-80 cm. Në bazë të planimetrisë së tyre kuptojmë se këto kisha në enterierin e tyre zinin mjaftë besimtarë”. “Kujdes të veçantë për organizimin e krishterimit tregoi Perandori i Lindjes, Justiniani I, i cili qe me prejardhje dardane. Gjatë sundimit të tij u ndërtuan mjaftë kisha të cilat njihen si kisha paleokristiane. Ndërsa një angazhim i tillë duket të ketë ndodhë vetëm edhe në shekullin XIII. Një shekull më vonë, më saktë pas vitit 1308, kur në krye të Serbisë ishte mbreti Millutin (Stefan Uroshi II), fillon shembja e kishave katolike, ndërsa mbi gërmadhat e tyre ngritën kisha të ritit ortodoks”. Banorët e fshatit nuk dinë saktësisht për vjetërsinë e saj, vetëm pohojnë se është shumë e vjetër, dhe nuk mbajnë mend se edhe më të vjetrit u kanë treguar ndonjë datë, porse edhe ata u kanë thënë kështu. Hasan Rexhepi, një nga pleqtë e katundit thoshte se kjo kishë është kishë e Rimit (Romakëve-I.T.). (Hasan Rexhepi ka vdekur në vitin 1992). Mendoj, se kjo kishë dhe ky vend rreth saj tregon se këtu dikur ka pasur jetë dhe gjallëri të madhe dhe banorët e këtij fshati i kanë takuar konfeksionit të krishterë. Shtëpitë e fshatit Shtëpitë e fshatit, kryesisht janë të ndërtuara nga gurët që lidhen me hatulla (breza) druri, sepse në fshat lehtë mund të gjenden gurë, dhe në pamundësi për të blerë material tjetër për ndërtim, (ngase pothuajse të gjithë ishin të varfër) ata i nxirrnin vetë gurët, gjithashtu edhe dru kishin mjaft. Në kohët më të vjetra gurët i bartnin me qerre e me saja që tërhiqeshin nga kafshët e më vonë filluan t’i bartin edhe me traktorë. Kryesisht, në të shumtën e rasteve, kati i dytë ndërtohej me qerpiç, që gjithashtu përgatiteshin nga vetë qytetarët. Ata ndërtonin një “kallëp” prej druri e më pas balta e përzier me kashtë hidhej në të, ku liheshin të tereshin në diell për disa ditë. Ka pasur raste kur shtëpitë ndërtoheshin me çatme (pallzina) prej druri, ku në mes futej balta e përzier me gurë me të vegjël, dhe kështu bëhej muri. Zakonisht kështu ndërtoheshin shtëpitë një katëshe. Kjo bëhej nga ato familje që ishin më të varfra. Kulmi, në kohët më të hershme, mbulohej me kashtë e mbi të vendoseshin lmezët (limëzat) për ta mbrojtur kashtën nga erërat. Por në kohët më të reja, pothuajse kjo u zëvendësua me qeramidhe dhe tjegulla. Pullazet punoheshin me katër ujëse të lidhura me një pikë dhe dy pika. Shtëpitë ndërtoheshin, zakonisht dykatëshe në formë katërkëndëshe me një e dy dhoma në katin e parë dhe shpesh me tri dhoma në katin e dytë e me një korridor në mes. Por kishte raste kur shtëpitë ndërtoheshin në formë të shkronjës G, – i thoshin “GE”. Këto shtëpi kishin dhoma më shumë. Zakonisht kati i parë shfrytëzohej për të qëndruar të gjithë anëtarët e familjes dhe për të përgatitur ushqimin e cila ndryshe quhej edhe “shpija”. Shpesh ndodhte që gjysma e katit të parë shfrytëzohej për ahur të kafshëve e gjysma tjetër për njerëzit e shtëpisë. Kjo ndodhte kur nuk kishte mundësi një familje të ndërtojë shtëpi më të madhe. Kishte raste kur edhe i tërë kati i parë shfrytëzohej për ahur. Ndërsa dhomat e katit të dytë shfrytëzoheshin për fjetje dhe për pritjen e mysafirëve. Tavanet e dhomave, në të dy katet zakonisht, punoheshin me dërrasa ahu apo bungu, e mbi to hidhej baltë, derisa në katin e përdheses, në mes të dhomave, më parë vendosej arkitrau, pastaj trarët, dërrasat dhe balta. Çupëria vendosej për të përforcuar dyshemenë e katit ë parë, sepse nga materiali që u përmend më lartë bëhej një peshë e madhe. Rrallë ndonjë shtëpi kishte çardakë, ndërsa dekorime në dru mund të hasnim në çdo shtëpi. Zakonisht kishin ballkone të vogla të rrethuara me qerpiç apo dërrasa. Disa nga shtëpitë, shkallët i kishin prej druri nga ana e jashtme dhe e brendshme, kohëve të fundit filluan të ndërtohen edhe prej betoni. Dritaret dhe dyert, në fillim ndërtoheshin të vogla dhe prej druri, kurse familjet që ishin më të forta ekonomikisht i bënin më të mëdha, ku dhomat kishin ndriçim të mjaftueshëm. Pothuajse të gjitha shtëpitë kishin oxhak, që ndërtohej në katin e parë me gurë, e në katin e dytë dhe mbi kulm vazhdohej me qerpiç. Oxhaku kishte formën e gjysmëharkut, por edhe katrore, mbi të cilën vendosej një rrasë guri, dërrasë me dekorim apo edhe një dru i pa përpunuar. Në mes të oxhakut vendosej verigu, ku mund të varej kusia për të ngrohë ujin. Deri vonë dhomat e fjetjes shtroheshin me kashtë e mbi të vendosej ndonjë hasër, cergë, plaf, sixhade, qylym e rrallë jan e tepih. Plevicat Plevicat (plemet) janë objekte që shërbejnë për mbajtjen e ushqimit të kafshëve, ndërtohen afër shtëpive, zakonisht brenda perimetrit të oborrit të shtëpisë. Këto objekte kanë podrumin dhe një kat. Kati shërben për mbajtjen e ushqimit të kafshëve (sanës e kashtës), ndërsa podrumi shërben si ahur. Ka raste, kur plevicat janë edhe njëkatëshe. Ndërtimi i podrumit bëhet me gurë, ndërsa kati me dërrasa, që shpesh lihen të rralluara. Kulmi mbulohej dikur me kashtë, e më vonë me qeramidhe e tjegulla. Në fshatin Priboc, objektet e tilla nuk janë të mëdha. Kanë formë katërkëndëshe. Hambarët Edhe pse toka nuk është aq pjellore dhe nuk jep rendimente të mira, megjithatë paraqitet nevoja, që bereqeti të grumbullohet e të ruhet në vende të posaçme ku nuk prishet edhe gjatë dimrit. Pribocasit, përveç që mundoheshin ta sigurojnë drithin nga tokat e veta, ata jo rrallë, detyroheshin të punojnë edhe në vende tjera, si në Serbi, Vojvodinë e gjetiu. Zakonisht, puna e parë që bënin ishte sigurimi i bukës. Dhe ata, ka ndodhur që, nga Banata (kështu e quanim vendin në Vojvodinë) sillnin misrin, derisa më vonë grurin e miellin e grurit e blinin në shitoret më të afërta. Për ta ruajtur bereqetin, ata ndërtonin dhe blinin hambarë. Hambarët ndërtoheshin me dërrasa, dhe kishin disa ndarje (presekë). Hambarët janë të vendosur, zakonisht mbi gurë të mëdhenj. Hambarët, zakonisht në mes kanë një korridor të vogël për t’u futur brenda e për ta hedhur drithin në ndarjet e tij. Ndërsa në anën e jashtme, në pjesën e poshtme, gjendet një hapje e vogël e cila shërben për nxjerrjen e drithit. Punoheshin edhe ”hambarë të vegjël” apo më mirë të themi arka të mëdha të cilët vendoseshin edhe brenda objektit të shtëpisë duke e përforcuar për mur. Mullinjtë Edhe pse fshat i vogël, Priboci ka pasur disa mullinj, në të cilët është bluar drithi i prodhuar në arat e pribocasve, por edhe i sjell nga vendet tjera. Kushtet për ndërtimin e mullinjve kanë ekzistuar, ngase në të dy anët e fshatit, për së gjati rrjedhin dy përrenj, të cilët në pranverë, dimër e në vjeshtë kanë pasur ujë të mjaftueshëm për t’i vënë në lëvizje gurët e mullirit. Në këta mullinj nuk është bluar sasi e madhe e drithit, por janë shfrytëzuar, pothuajse vetëm për nevoja familjare, përkatësisht të lagjes. Mullinjtë nuk kanë qenë të mëdhenj. Kanë pasur vetëm një ndarje, dhe rrallë ndonjë ka pasur ndonjë vend edhe për qëndrim më të gjatë të pronarit apo të ndonjë shtegtari, sepse në këta mullinj nuk kanë bluar drithë nga fshatrat tjera. Ndërtoheshin buzë përroit, në shpat, ku përshtatej vendi për vendosjen e lugut (gypit) të ujit, në mënyrë që ujë të bie me furi në qarkun e mullirit për ta futur në lëvizje më lehtë e më shpejt. Lugu ndërtohej prej druri, (prej një lisi të gjatë i cili gërryhej). Uji sillej deri te mulliri përmes një kanali të gjatë të hapur me dorë. Në fillim të këtij kanali, në një largësi bukur të madhe nga mulliri, ndërtohej edhe një vend ku grumbullohej uji, që populli e quante tantë, nga i cili vend kishte mundësi të grumbullohej uji e të përdorej kur nuk kishte ujë të mjaftueshëm, por edhe të shkarkohej uji me një dërrasë, kur kishte prurje të shumta, në mënyrë që të mos dëmtohej kanali i mullirit. Mullinjtë, ndërtoheshin tërësisht me gurë, ndërsa mbuloheshin me dru e me kashtë, e rrallë ndonjëherë me qeramidhe. Në përroin që ndan Pribocin me Zarbicën, ekzistonin këta mullinj: Mulliri i Dervishit, i Ilazëve, i Kekajve, i Hasanit të Fejzullahut, i Tafilajve, i Bajramit Arifit, i Huruglicëve dhe në fund ka qenë i Sadikajve. Ndërsa, në anën tjetër, në Përroin e Kishës, prapa shtëpisë së Ramiz Abdullahut, ishte i ndërtuar mulliri i Bajramajve, mulliri i Zukës, i Rizahut, i Bislimit e mulliri i Xhemailit të Ramës. Deri sa ishin familjarët në fshat, këta mullinj kishin funksionuar, ndërsa tani, posaçërisht pas luftës së vitit 2000/2001, e zhvilluar në mes të UÇPMB-së dhe forcave ushtarake-policore serbe, të gjithë mullinjtë janë dëmtuar. Makina hedhëse të drithit Edhe pse vend malor-kodrinor, në fshatin Priboc kah vitet e 70-ta, për hedhjen e drithit filloi të përdoret makina e dorës- makina hedhëse e drithit, që sot mund të themi se ka mbetur si vlerë e trashëgimisë. Të tilla makina kishin Hasan Rexhepi, Ramiz Abdullahu, Ruzhdi Krasniqi, Faik Selimi, Tefik Dervishi, Musa Ajet Sadiku, të lagjës së Hurglicajve e disa të tjerë. Këto makina kishin mundësi t’i blinin vetëm familjet që ishin ekonomikisht më të forta. Sot, këto makina, të dëmtuara, gjenden ende në oborret e shtëpive të braktisura të pronarëve të lartpërmendur të fshatit. Parmenda Deri në vitet e para të pas Luftës së Dytë Botërore, toka në fshatin Priboc, lëvrohej me parmendë. Parmenda punohej (ndërtohej), pothuajse e tëra me dru, përveç umit, i cili ishte prej metali. Parmendën e punonin, vet mjeshtërit pribocas. Me parmendë toka nuk punohej mirë, pasi lëvrimi me të nuk mund të bëhej në thellësi të mjaftueshme, dhe si pasojë nuk jepte prodhime të mira. Lëvrimi i tokës me parmendë ishte edhe mjaft i rëndë. Parmendën e tërhiqnin dy qe me një zgjedhë mjaft të gjatë, ku sipas rrëfimit të Ramiz Abdullahut, njëri ecte nën brazdë e tjetri mbi. Parmenda në foto është punuar nga Riza Sadiku, e cila është ruajtur deri në ditët e sotme fal kujdesit të djemve dhe nipave të tij të cilët jetojnë në Hodonoc. Mokna Dikur, në kohët më të hershme, njerëzit për të bluar drithin shpejt e shpejt dhe në kohën kur nuk mund të dilnin jashtë, p.sh. në dimër, kishin menduar dhe shpikur një mulli dore, të cilin e kishin emërtuar si mokna. Në mokën apo mulli të vogël, i cili emërtim, si duket ekziston vetëm në gjuhën shqipe, është bluar drithi në sasi të vogël, për nevoja vetëm të një familje, sa për të gatuar një apo dy bukë. Është ndërtuar nga dy gurë të vegjël të cilët janë rrotulluar (sjell) me dorë. Guri i epërm ka një vrimë anash, në të cilën vendoset një dorezë druri e cila shërben për ta sjellë gurin. Kjo dorezë mund të jetë e shkurtër dhe e gjatë, ku mund të ngjitet edhe në tra për ta lëvizur më lehtë. Në pjesën e përparme ka të ndërtuar një arkë të vogël, në të cilën bie mielli pasi të bluhet. Me mokën kanë mundur të bluajnë drithin edhe gratë edhe fëmijët. Vegla pune bujqësore, vegla e mjete tjera të përdorshme të punuara prej druri e guri Pribocasit brez pas brezi, për t’i kryer punët bujqësore dhe punët tjera të fshatit, për nevoja të veta, kishin trashëguar mjeshtërinë e përpunimit të veglave bujqësore nga të parët e tyre. Nuk kishin nevojë të blinin apo edhe t’i porositnin t’ua ndërtonin të tjerët. Ata, për ta punuar tokën dhe kryer punë të tjera, punonin vet, nga druri: parmendën, vllaçën prej ferrave të murrizit dhe kulumbrisë, sajin për bartjen e drurëve, qerren, zgjedhën, tërfurkun (fturk), grabujën (mbledhësin e fijeve të barit), shtrënguesen e duajve, terploten për hedhjen e drithit, mbledhësin e drithit, bishta për kosa, sëpata e mjete tjera, lugë prej druri, bosht dhe furkë për tjerrjen e leshit, zdrukth, kular (prej kurpne), kërrabë, vek, sofra, mbajtëse druri për lugë, llamb vajguri e për gotë uji, pastaj vegla tjera të nevojshme: toqillen, samarin, govata ( lugun apo koriten) të deleve, çerepët etj. etj. Dyer oborri prej druri Shtëpitë e fshatit, zakonisht janë të rrethuara me gjerdhe (gardh), mure prej guri ose dërrasa të gdhendura të larta (taraba). Njëkohësisht oborret janë mjaft të mëdha, sepse brenda tyre janë ndërtuar edhe objekte tjera ndihmëse, si plevica, hambarë e ndonjë ndërtim tjetër. Në hyrje të këtyre oborreve, në të shumtën e rasteve, janë ndërtuar edhe dyer prej druri, të punuara mirë, e shpesh, edhe me dekorime. Janë të përforcuara për muri të trashë prej guri i cili është ndërtuar enkas për to, por shpesh, për mbajtje të dyerve janë bërë edhe direkë të trash prej drurit të bungut, ku pjesa e cila është futur në tokë, është djegur, në mënyrë që të mos kalbet shpejt. Për të mos u dëmtuar nga shiu e bora janë mbuluar me firi, kashtë e më vonë me tjegulla. Janë dyer mjaftë të mëdha, ku së bashku me to është ndërtuar edhe një derë e vogël për të hyrë vetëm njerëzit. Burime uji, kroje e çezme Vendet malore, kodrinore, zakonisht janë të pasura me ujë. Edhe fshati Priboc ka mjaft ujë, si: rrjedha përrenjsh, përroska e burime të shumta uji, dhe si rrjedhojë e kësaj janë ndërtuar edhe kroje e çezme për përdorim të përditshëm të familjarëve. Por, për shkak të terrenit kodrinor, dhe ndërtimit të shtëpive në vendet të larta, banorët e fshatit janë detyruar të marrin ujin nga një kodër tjetër ku është lartësia pak me e madhe se ndërtimi i vet shtëpisë, me të vetmin qëllim që ta kenë ujin brenda në shtëpi me rënie të lirë. Ndërsa, jo fort larg shtëpisë, ndoshta 40-50 e 100 m. e ka pasur kroin që është dashur të shkojë këmbë dhe të bartë ujin me kënata e bidonë të ndryshëm, apo, kohëve të fundi janë përdorur edhe hidromotorë, të cilët janë prishur shumë shpesh. Dhe shi për t’i ikur kësaj, ata në fillim kanë investuar më shumë duke sjellë ujin me gypa gome me një largësi bukur të madhe, por më pastaj e kanë pasur ujin e mjaftueshëm dhe të sigurt në çdo kohë. Krojet janë ndërtuar në vendet ku ka pasur burim uji të përhershëm. Në disa vende të tilla, zakonisht janë vendosur govatat prej druri, me ndonjë çezme prej druri apo prej metali, e herë duke e vendosur vetëm govatën. Kroje të tilla ka mjaft, si: Govata (Korita) e Xhemailit që dikur ishte një krua në afërsi të rrugës, të cilin e kishte punuar Xhemail Ramadani. Kroi kishte një govatë (koritë) dhe një copë druri të gërryer nëpër të cilin kalonte uji dhe e mbushte govatën, por edhe mund të pihej ujë në të. Govata që rrinte gjithmonë plot me ujë, ishte prej druri. Sot kjo govatë nuk ekziston, por emërtimi ka mbetur. Çeshmja (çezma) e Osmanit: Është çezma që e ka punuar dhe sjell ujin me gyp plastike në rrugën e fshatit, Osman Idrizi. Gjendet nën varre të fshatit. Çezma është e vendosur në lis të ahut. Edhe gypi i cili e sjellë ujin, kalon pothuajse tërësisht nëpër mal me lisa ahu. Për këtë arsye uji i kësaj çezme është gjithmonë i ftohtë. Kroi i Bugarëve: Është një krua në veri të fshatit në malin e Skutës. Ka ujë të ftohët, sepse rreth e përqark ka lisa ahu. Kroi i Ftohtë (përballë livadheve të Selishtës): Edhe ky krua gjendet në një mal me lisa ahu. Është i ndërtuar thjeshtë, me disa gurë të murosur. Edhe në pikun e verës është i ftohtë sepse gjendet në mesin e lisave të gjatë të ahut. Një krua tjetër me të njëjtin emërtim gjendet edhe në lagjen e Vrenezajve. Gjithashtu edhe ky krua e ka ujin e ftohtë. Kroi i Gjorës: Si duket është një krua i vjetër, të cilin do ta ketë ndërtuar Gjora, ndonjë banor i përkatësisë katolike. Kroi i Idrizit, gjendet në mes Fushës së Kerreve dhe lagjes së Huruglicajve. Kroi i Selmanit, gjendet në pronën e Bexhetit të Behlulit, lagja e Sadikajve. Kroi i Rrinave, pothuajse gjendet në lartësinë më të madhe mbidetare të fshatit i cili vazhdimisht ka ujë. Kroi i Rogave, gjendet prapa shtëpisë së Ramiz Abdullahut. Kroi Te Lugata, gjendet poshtë shtëpisë së Abdyl Selimit. Kroi i Hasan Keçës- ka qenë afër kishës, tash nuk ekziston. Kroi i Mustafës – gjendet prapa shkollës së vjetër, rrugës që të shpie në Zarbicë. Çeshmja (Çezma) e Hysen Ismailit- Kjo çezme është ndërtuar në vitin 1979 nga Hysen Ismaili, i lagjes Sadikajve. Është ndërtuar në shpatin e Kevës, në të majtë të rrugës Muhoc –Zarbicë,. Çeshmja (Çezma) e re te varrezat e fshatit Në korrik të vitit 2010 me iniciativën e pribocasëve me punën vullnetare (financiare e fizike), duke mos dashur ta harrojnë kurrë vendlindjen e tyre, organizuan rregullimin e rrugës ngritjen e pllakës identifikuese, rregullimin e çezmes afër varrezave të fshatit dhe shumë punë tjera. Çezmja e re afër varrezave të fshatit do t’i freskojë të gjithë udhëtarët e rastit me ujin e pastër të kulluar si kristali që buron nga malet e këtij fshati. Kroje e çezme të tilla, të punuara nga vet familjarët e këtij fshati, pothuajse, në afërsi, ka secila shtëpi. V L E R Ë A M B I E N T A L E Dushku i Matës Mund ta quajmë vlerë ambientale, apo natyrore, sepse edhe shtrirja, edhe bukuria natyrore, llojllojshmëria e bimëve barishtore e shëruese, por edhe e drurëve, dallojnë nga pjesët tjera të fshatit. Por ajo që e bënë më tepër, që të jetë vlerë trashëguese, është edhe ajo se, në këtë vend është strehuar Mat Hashani një trim, luftëtar dhe atdhetar nga Gjergjeci, i cili tërë jetën luftoi kundër pushtuesve të këtij vendi, në fillim kundër turkut e më vonë kundër ushtarëve austro-hungarezë. Sipas dëshmive të banorëve të fshatit Priboc dhe sipas librit të Behram Hotit “Doktori i Anamalësisë”, Mat Hashani, në këtë vend kishte ndërtuar një shpellë, i cili pas luftërave që zhvillonte me pushtuesit, strehohej në të. Dhe shi për këtë kjo kodrinë ka marrë emrin Dushku i Matës . Lisat binjak në lagjen e Sadikajve Janë dy lisa ahu, mjaft të vjetër të cilët pothuajse janë të barabartë me madhësi. Guri i Pribocit Në lagjen e Vrenezajve, poshtë varrezave të fshatit gjendet Guri i Pribocit. Është një guri mjaft i madh mijëravjeçar, në të cilin pushojnë shqiponjat e fshatit. Ky gurë, me shqiponjën mbi, është simboli i fshatit. Vlerë ambientale, lisa të gjatë që i rrit toka e Pribocit Pamje dimri, pishat e fshatit Priboc Sanë (mullar) e Hafiz Musliut Për të siguruar ushqimin për mbajtjen e kafshëve, nevojitet punë e madhe dhe dijeni për ta ruajtur ushqimin nga kalbja. Prandaj, në vitet e mëparshme, tërë barin e kositur, për ta ruajtur një kohë më të gjatë, duhej sistemuar në mullarë apo sanë, siç i thonë banorët e këtij fshati. Sistemim i tillë bëhet edhe sot nga familja e Hafiz Musliut, e cila jeton ende në fshat. Pllaka identifikuese e fshatit Asnjëherë në historinë e këtij fshati nuk është ngritur ndonjë pllakë, bust apo përmendore. Duke e pasur parasysh këtë fakt, në vitin 2010, në kuadër të Takimeve të Vendlindjes, edhe pse familjet pribocase nuk janë të forta ekonomikisht, organizuan dhe përgatitën pllakën identifikuese të fshatit, ku janë paraqitur lagjet e fshatit, shqiponja dhe guri si simbol i fshatit. Kjo pllakë u përurua, më 18 .7. 2010, e cila është vlerë kulturore, dhe pas disa viteve do të jetë edhe vlerë e trashëgimisë së fshatit. VALLET POPULLORE Përveç zhanreve të ndryshme të trashëgimisë kulturore, kulturën shqiptare e pasurojnë edhe vallet e shumta e të ndryshme, të cilat kërcehen nga valltarë popullorë. Këto valle janë përcjell brez pas brezi deri në ditët e sotme duke u lidhur me ndonjë ngjarje historike, betejë e fitore të ndonjë luftëtari e trimi të shquar kundër pushtuesve, me ndonjë emër qyteti a fshati, me gëzime e festa, etj. Edhe në fshatin tonë, posaçërisht me rastin e dasmave, (fejesave e martesave) festave e gëzimeve, ndejave të rastit e takimeve të ndryshme, janë kërcyer e kërcehen valle të shumta popullore burrash e grash nga valltare e valltarë të njohur të shoqëruara, posaçërisht me tupan e zurna, def e me instrumente tjera. Valle popullore burrash që janë luajtur dhe luhen më shpesh janë: Vallja e Deli Agushit, Vallja e Hasan Agës, Vallja e Bilaçit,? Vallja e Preshevës, Vallja e Gjilanit Vallja e Dimkës, Vallja e Gajdes, Vallja e Mahramës, Vallja e Çaçakut, Vallja e Qyqekut, Vallja e Moravës, Vallja e Shotës, Vallja pembe- pembe Valle të shumta dasme për burra, gra e vajza etj. etj. Pothuajse të gjithë burrat e fshatit kanë ditur të vallëzojnë, por disa janë dalluar, si Shefkiu i Bislimit, Shefkiu i Isufit etj. Edhe gratë e vajzat luajnë valle të ndryshme, të cilat përcillen më shumë me def, por edhe me daulle, gjithashtu nëpër dasma e gëzime të ndryshme. Ndërsa, në kohët e përparshme, kur luanin gratë e vajzat, daullet, zakonisht vendoseshin jashtë oborrit, apo jashtë gjerdheve (gardheve). LOJËRAT POPULLORE Edhe në fshatin tonë, si në gjithë fshatrat e Malësisë së Bujanocit e më gjerë, luhen lojëra të ndryshme popullore nga më të moshuarit e deri te ata më të rinjtë. Lojëra të tilla, zakonisht luhen sezonës së dimrit, atëherë siç i thonë kur “mblidhet vera”. Pasi këtu është lartësi e madhe mbidetare, të reshurat e borës janë patjetër të mëdha, dhe njerëzit, edhe brenda fshatit edhe nga fshatrat e tjera shkonin e vinin mysafirë, duke qëndruar edhe me javë. Në këto ndeja, janë luajtur (luhen edhe sot, por më pak), lojëra të shumta popullore për t’u argëtuar, për ta pritur e për ta përcjellë mikun sa më mirë, e për të kaluar natën sa më shpejt etj. Edhe pse sot nuk luhen lojëra si më përpara, megjithatë, ato janë ruajtur, dhe shpesh, edhe në qytete, ku janë vendosur familje të shumta, luhen e përkujtohen lojërat e të parëve të tyre. Zakonisht janë luajtur lojërat: Loja e filxhanëve, Loja e unazës, Loja kërkoje paren (paranë) e metaltë në gju, Loja bëëëzzzz-bëëëzzzzz-bëëëzzzzz, Loja me kapuça, Loja me dru koftori, Loja e breshkës, Loja sa gruri? Loja me e dërgua dhëndrin në mal me pre dru, Loja me u tërheq në litar, Loja cicmic (dëgërxhik) Imitime të ndryshme për njerëz të ndryshëm etj. etj. Gjithashtu edhe të rinjtë, gjegjësisht barinjtë, gjatë ruajtjes së bagëtive kanë luajtur lojëra të ndryshme në fusha. Të tilla kanë qenë loja e guxhës (okej në bari), kilinicë (kuti- klicka), rrumadak, vrapimi, mundja, shko pritmi delet apo lopët, kaçiqorr (symshelsa) etj. etj. GOJËDHËNA DHE ANEKdota Trashëgiminë kulturore të fshatit e pasuron edhe trashëgimia shpirtërore e krijuar dhe e ruajtur brez pas brezi nga vetë banorët e fshatit, si domosdoshmëri e përditshme e punës, lindjeve, martesave, luftërave vdekjeve, festave, valleve, këngëve, lojërave popullore, veshjeve, krijimit të anekdotave, gojëdhënave e krijimeve të tjera gojore e artistike. Këto, pra janë “format e shprehjes kulturore të traditave ose të zakoneve popullore, të gjuhës, festave, riteve, valles, muzikës, këngës, dhe shprehjes artistike” . Të gjitha këto forma të trashëgimisë shpirtërore që u përmendën më lart janë krijuar, ruajtur e përcjell brez pas brezi nga banorët e fshatit Priboc, si pjesë përbërëse e trashëgimisë kulturore, gjegjësisht shpirtërore e Malësisë së Bujanocit dhe e tërë trevës së kësaj ane të banuar me shqiptarë që nga kohët më të vjetra. Për të treguar se vërtetë janë krijuar nga kjo anë po i paraqesim vetëm një numër të vogël të tyre. Dervishi në familjen e Tafilit Kish pas ardhë niherë nji dervish në fshatin tonë, dhe tu kalu rrugës nalet te shpia e Tafilit. Tafili ish kanë tue i rregullu dyert e oborrit, dhe si duket duke ia nreq kulmin. Dervishi i veshun keq, nalet te dera e Tafilit dhe i lyp ujë. Tafili si ish tu punu, edhe i lodhun i thotë: Ik more panlan, more b. pa lamë, se nuk po kam kohë dhe nuk muj me të dhanë ujë. Mirëpo, ky njeri që ish Dervish, e Tafili nuk e dinte se është Dervish, idhnohet që nuk i jep ujë, dhe pasi largohet pak e nem (nam) Tafilin, dhe ai në atë moment e prêt kamën dhe rrëzohet në tokë. Katunarët e marrin Tafilin dhe e dërgojnë shpejt e shpejt te kojshia, i cili ia mjekon kamën. Thojnë se ni kohë të gatë nuk është shnosh . Dervishi në Ramabuqë Niherë, t’u kalu nëpër Ramabuqë një dervish, e thirrin që ta shnosh ni të s’mutë. Pasi ia ban shërbimin, dervishi ia lyp t’ia jepte një kingj (qengj). Ata të familjes së të s’mutit i thanë: dil e merre vet ni kingj në livadhe. Dervishi doli dhe e zgjodhi kingjin ma t’mirë. Na, kur dojshim ta kapim ndonjë kingj, lodheshim deri e kapnim, dhe nuk na vinin kurrë mas. Ndërsa, dervishi, pasi e caktoi cilin kingj, ia nxumë ate shumë lehtë. Kur ia dhamë, dervishi e preku me dorë në krye dhe kingji shkoi vet mas tij. I shkoi përmas pa i grahë, pa e lidh dhe pa e tërheq kurkush. Na u habitëm. Loja e krushqve të panjohur (të imagjinuar) Zuka më ka pas thanë se në Kodër të Stanit, ka pa natën, njerëz, si krushq tu ra teposhtë kah prroni, mas shpisë së Ramizit të Abdullahit. Ata shkojshin tu lujt me muzikën e daulleve dhe të curleve (zurnave) drejt mullinit të Bajramoviteve që ishte në prrue. Zuka, Latifi e Hiseni. Na banorët e katunit Priboc si krejt katunet tjera të Malësisë kemi shitë dru e gja (kafshë), po edhe kemi ble sene për me math e për me hangër, si opanga, krip, miell sheqer etj. në Vrajë e Bujanoc. Përveç kësaj kemi shku edhe me bitis naj punë në komunë, gjyq etj. Ni herë Zuka, Latifi e Hiseni, ishin nis me shku në Bujanoc për një dëshmi. Latifi e Hiseni nisen me kual e Zuka me magar. Po magari i Zukës ishte shumë i shpejtë. Kur vijnë te reka e Ratajt, Hiseni e Latifi merren vesh që t’ia bajnë një të keqe Zukës. I gjejnë do miza t’kalit, dhe Hiseni ia lëshon magarit të Zukës. Magari i ka për ters mizat e kalit, dhe nga kjo ia nis me kcy e me nga. Ashtu, hip në magar Zuka, si ishte tue e kalu ujin, bje në ujë dhe laget krejt. Zuka nuk banë za, se e din, kush ia bani. Udhës t’u ardh n’shpi, Zuka, menon se çka me iu ba ktine dive (këtyre dyve). Kur vijnë te ni baçe e bostanit, në Tërnoc u thotë: “hajde ta marim ka ni bostan. Këta, Latifi e Hiseni, thojnë “po e marim ni ma t’madh dhe e hamë bashkë”. Mirëpo, Zuka thotë: “jo, hajde ta marim secilli ka nja”. Hiseni dhe Latifi e zgedhin ka nja, e Zuka ni tjetër. Ulen, dhe ia nisin me e pre bostanin. Bostani i Latifit ishte deri diku i mirë, kurse i Hisenit del i papjekt-si lekë, kurse Zuka e kishte zgedh shumë t’mirë. Zuka me e nis me e nxjerr hakun, u thotë: “Kqyrni, ju nuk keni ditë me zgedhë, jeni të padijshëm, dhe mizat e magarit që u rrëzova unë, ti Hisen ia ke lshu. Dhe pa një pa di i bie shuplakë Hisenit (Zuka, Latifin e ka pasur vëlla-I.T.). Duke punuar në Beograd Si iftiaqli që ishim, ne (katunarët) punonim në Beograd e gjithkah nëpër ish-Jugosllavi. Kam punu edhe unë, (është fjala për Tefik Dervishin-I. T. ). Kshtu niherë t’u punu n’Beograd me Sadën, vllavin tem, (Sada ishte pak i padijshëm) në ni udhë të ngushtë që menzi e zinte kamionin, Sada i grahte kolicës ( karrocës) me beton. Tu e pru teri në venin e caktum, anës së kundërt i vinte një kamion. Sada shkonte për mjedis udhës. Kur afrohet kamioni, edhe pse shoferi i binte svirenës (borisë) që të largohet nga udha, Sada nuk e dredhonte udhën hiç, po shkonte drejt. Shoferi i kamionit tue pa se nuk kish ku me shku ma poshtë, se gati kish ra nër udhë, nga penxherja (dritarja) e kamionit i thotë të largohet pak. Po, Sada aty për aty dhe tu i bërtitë ia kthen: “A nemash mesta natamo p. ti materina . (A nuk ke vend me tutje he nanën e nanës). Në vend të teshave solli një femër Niherë i harrova teshat (Tefik Dervishi-I.T.) dhe një letër në barakë, aty ku flenim dhe pushonim. Masi erdhëm në punë i thashë Sadës, “Shko, bre Sadë në barakë e bjermi teshat dhe qat letër”. Ai shkoi, nuk m’tha jo, po nuk i pruni ato që i thashë, po e pruni një femën. Sa herë që po e shkurtoj po më del më i shkurtë Rizahi i Sylejmanit të Pribocit ishte mjeshtër për me maru shpia. (Atëherë ndërtoheshin shtëpitë me gurë dhe me drunjë-I.T.). Rizahi, niherë m’kallxonte për një mjeshtër që punonte me të se si ai tue maru ni direk t’shpisë, për herë të parë e kishte shkurtu më shumë se sa duhej. Pasi e matë, e sheh se direku nuk i binte mirë e kthen dhe fillon me shkurtu apet. Disa herë kështu banë me direkun. Dikur i kthehet Rizahit dhe i thotë: “Sa herë që po e shkurtoj po më del ma i shkurtë”. Pasi e ndez cigaren kthehet n’shpi Priboci si edhe katunet tjera për t’shitë dru e për t’ble gjana të shpisë, shkojshin në Vrajë e Bujanoc. Niherë njani ish nisë me kali me shku në Vrajë. I hip kalit e niset heret natën. Ishte dimën. Për t’shku në Vrajë duhet me kalu nëpër Novosellë. Në Novosellë është një ven që e rreh frima shumë. Ky udhtari nuk mujke me nejt pa e ndez cigaren. Pasi mbshtjell nji, don me ndez, po frima kah shkonte i binte në ballë dhe nuk mujke me e ndez. Ky e nal kalin dhe e kthen kah shpija për me ndez cigaren. Po, pasi e ndez niset në atë drejtim, kah shpia, harron me u kthy kah Vraja. Kali po ec drejt shpisë, kur pas një kohe hin në oborr të vet. Ky si i dyshimtë, menon qysh mrrini aq shpejt te shpijat e para të Vrajës. Don me i grah kalit po ai nuk ec. Pasi e sheh se nuk po ec kali troket në derë dhe del gruaja e vet. Çka u ba o njeri i thotë ajo pse u ktheve. Atëherë këtij i kujtohet se, kur e ka ndez cigaren nuk asht kthi ma ka Vraja. Me kanë me ngrehë byth marë qysh po ngrehshin byth prap…. Njani i kish pas ble një penë kie në pazar, po nuk e kish pas vetë shumë për të kqijat që i kanë kijet. I kish pa se janë të trashë të mdhaj dhe nuk e kish zgat shumë, dhe i kish marrë. Kur shkon te shpija i ngjet në zgjedhë me livru. Po ata (kiet) ishin kanë dembela dhe nuk e ngrehshin pllugun hiç e shpesh shkonin edhe prap (temas) nga ni hap e dy. Shkonin byth prap. Në ditën e javës tjetër të pazarit del përsëri ky qi i kish ble kijet dhe e takon ish pronarin e tyne. Ky ish pronari tue e ditë se kijet ishin dembela e vet. Hë more si po të dalin kijet, a mun po punon me ta, si po të shkojnë. Ky që i kishte ble ia kthen: “me kanë me ngrehë byth marë qysh po ngrehshin byth prap, qirak kish pas me më ba zoti! Duqit në krah Njani i Tërstenës kish pas shku në pazar me kali. Më heret, këta, përveç që kanë shku në Kamenicë, nganjëherë kanë shku edhe në Vrajë e Bujanoc. Pasi i kryn ky pazaret, i mbush duqit me mallin që e kish marrë dhe niset për në shtpi. Rrugës i hyp kalit, por duqit i qet në krah. Tu shku në shtëpi, udhës i takonte njerëz që ishin kanë në pazar. Ata çuditeshin dhe e luhatnin kryet kur e shihnin se ai i kish i hyp kalit, ndërsa duqit i kish qit në krah. Njenit nuk iu durua dhe pvet. More ti shoq, pse i ke qit duqit në krah pasi i ke hyp kalit, pse nuk po ia lëshon kalit në shpinë qysh asht adeti. Ky i përgjigjet: i kam qit në krah mos me ranu kalin! KËNGË POPULLORE “Gjatë zhvillimit historik çdo popull, çdo grup etnik ka krijuar një mënyrë të posaçme të jetës, të botëkuptimeve, besimeve zakoneve, sjelljeve, të marrëdhënieve familjare e shoqërore, të organizimit të jetës në shtëpi, fshat, fis dhe në bashkësi më të gjerë shoqërore. Çdo popull ka thurur këngë e tregime në gjuhën e vet, me ngjyrë e përmbajtje të rrjetit etnik, të ambientit të tij gjeografik” . Duke u mbështetur në këtë mendim, edhe në fshatin Priboc këndohen këngë të shumta popullore ndër më të ndryshmet me motive, pothuajse të njëjta si në tërë trevat e Kosovës e të Kosovës Lindore. Këndohen këngë të kreshnikëve, patriotike-atdhetare, trimërie, lirike, dasmash, dashurie, djepi, bujarie, veshmbathjes, të festave të ndryshme, nga ato pagane e deri ato më të rejat që krijohen gjatë jetës dhe punës së përditshme. Pra ,në të gjitha këto motive të këngëve shprehen ndjenjat e brendshme shpirtërore: atdhetare, të trimërisë, të dashurisë, të dashurisë ndaj fëmijëve dhe të gjitha ndjenjat që i përjeton njeriu gjatë tërë jetës me vetveten dhe me të gjithë faktorët që e rrethojnë. Sa për ilustrim po paraqesim tri këngë: njëra bën fjalë për trimërinë e malësorëve tanë, dy djemve nga Gjergjeci, të cilët janë të gatshëm të vdesin e të mos i dorëzojnë armët, atëherë kur ua kërkon çaushi i zi me 20 zapti. Kjo është kënga e cila këndohet, pothuajse gjithherë tek ne, pastaj një këngë tjetër baritore e dashurisë, ku e dashura duke i ruajtur delet e pyet shoqen, se a mos ia ka pa çobanin e vet i cili është i sëmurë. Ajo në fund e këshillon që ta merr në prehër sepse prehri i saj i ri e shëron menjëherë. Ose një tjetër këngë popullore, ku këndohet më e mira e fshatit e cila me bukurinë e saj duke u qitur argatëve ujë për t’i larë duart dhe duke ua bërë me sy, i lë edhe pa bukë. Ugurolla djem të ri Ugurolla dy djem t’ri, N’Bujanoc djemtë ia kanë msy. N’gjysë të rrugës kur kanë shkue, Tek janë nal djemtë me pushue, Ka i cigare dojnë me maru, Ka i cigare duhan me pi, Vjen çaushi me 20 zapti, Kah ju patëm ju djem t’ri, Prej Gollaku gjergjecali, N’Bujanoc ia kem msy me hi, Kshir çka u thotë çaush’ i zi, Zgjate dorën ama qat allti, Tu thaftë goja çaush’ i zi, Ti je msu në Bugari, Me i ra shuplakë me i rreh kamxhi, Shkojnë njerëzia tu kajt si f’mi, Nuk ke pa shiptarë me sy. Të përvlon zorrë e mushkri . Moj e mira që shkon me dhenë Moj e mira që shkon me dhenë, A ma pe çobanin tem? Qatje poshtë ish me dhenë. A ma vete ku po i dhem? Bytym shtati ren me ren. Pse s’ma more n’prehen tanë? Prehni yt asht i ri, I banë hajr si hajmali. Moj e mira n’at bojli Moj e mira n’at bojli, Emrin tanë, bijë s’po ta di. -E kam emnin dada Hajri. Unë shkoj nëpër argati, Ju qes durve ja u bajë me sy, Ata qohen tanë pa u ngi. Qikjo jam dada Hajri, Që i la argat pa u ngi. VESHJE POPULLORE Hapësira rajonale në të cilën shtrihet fshati Priboc, ndryshe quhet edhe Hashania. Edhe në këto treva veshjet popullore janë, pothuajse të ngjashme me të gjitha hapësirat gjithë shqiptare, me ndonjë dallim të vogël. Veshja popullore e krijuar nga popullata e kësaj ane e edhe nga pribocasit na sjellin shumë ngjashmëri tipologjike, strukturale, me veshjet e paraardhësve tanë-ilirët, por me kalimin e kohës është bërë evoluimi i tyre duke iu përshtatur rrethanave të caktuara historike, gjeografike e mjedisit shoqëror. Ndoshta ia vlen të përmendim një veshje të thjeshtë, e cila është imponuar nga kushtet e vështira ekonomike, e këto janë të ashtuquajtura tlina ose brekë të gjata prej leshit të dhive. Përveç kësaj, banorët e fshatit Priboc kanë përdorur edhe veshje tjera shqiptare popullore e kombëtare. Këtë e tregon edhe ruajtja e disa veshjeve të tilla deri në ditët e sotme-veshje burrash dhe grash. Foto e marr ë nga libri i Hysen Ahmetit: “Rite dhe këngë dasmash në fshatrat e Bujanocit”. Pra, sikur në të gjitha vendet e banuara me shqiptarë, janë përdorur plisa të bardhë, tirqit e zi me gajtana, shoka lahore me vija të imta me ngjyra të ndryshme. Shokat ishin të gjata dhe mbështilleshin 5-6 herë rreth trupit. Çorape të leshta; meste (çorape me lesh të dhive); këmisha për burra të punuara me pëlhurë të bardhë pa vija, të cilat kishin pulla deri në fund. Këto këmisha ishin të gjera me mëngë të ngushta e jakë të vogla. Jelekë me pulla, mitan; peshqir; shamia; shall; opinga të lopëve me vangji etj. Pothuajse, të gjitha këto veshmbathje i kanë punuar gratë dhe vajzat e fshatit me dorë dhe në vek. Krahas këtyre veshjeve të burrave, edhe gratë e vajzat vishnin dhe punonin veshje popullore kombëtare. Ndër ato që i punonin dhe i bartnin janë: hotozi; shami me oja të cilat janë punuar me drugëz (miçik) e me gjilpërë; këmisha me rrudha (me të kuq) me rruaza të punuara me gjilpërë; këmisha me bogosi të punuara në vek me pëlhurë pambuku; jelek pa pulla e punuar prej pëlhure; mitan prej kumashi, i trashë pa pulla me krahë të gjatë e të gjerë e me mëngë të ngushta. Mënga (burushka) ka qenë edhe me llastik; fustan të bardhë; shami me oja të punuara me gjilpërë; pështjellak all i gjatë; dimi të konopta (laheshin vetëm me fi ose hi); pastaj më vonë dimi të bardha deri në 12 m. gjatësi; çorape me vija të punuara Foto të marra nga libri i Hysen Ahmetit: “Rite dhe këngë dasmash në fshatrat e Bujanoci”. me lara; kanë punuar edhe marama (lloj mbulese për sofra), mindila-tentene etj. etj. Këto veshmbathje i kanë punuar gratë e vajzat e gati secilës shtëpi në fshat. Pothuajse të gjitha këto veshje, disa më pak e disa me shumë kanë pasur qëndisje, qepje me motive të ndryshme ornamentike. Në vend të përfundimit Duam të besojmë se mos tjetër, ky shkrim është një buqetë shumë e vogël e trashëgimisë në krahasim me ekzistimin e thesarit të madh të trashëgimisë ende të paprekur në këto fshatra të kësaj Malësie të përvuajtur. Këtë shkrim me këto materiale të pakta, më shumë e kam përgatitur si një dashamirës i kësaj fushe dhe me dëshirë që të qitet në letër vetëm një pjesë e trashëgimisë së kësaj ane, më saktë të fshatit Priboc, njëherazi me dëshirën për të nxitur, inkurajuar e ngjallë ndërgjegjen e institucioneve përkatëse, studiuesve dhe dashamirëve të kulturës popullore, që të hulumtojnë e mbledhin këtë pasuri të madhe të trashëgimisë, gjegjësisht kulturës së larmishme të kësaj treve. Pra, duke i paraqitur këto shkrime të shkurtra, këto thesare të pakta kulturore të fshatit Priboc, mëtojmë të tregojmë se fshati ynë dhe fshatrat tjera të Malësisë së Bujanocit, gjegjësisht treva e Hashanisë është një pasuri e madhe kulturore pa dashur të themi fare pak, e pazbuluar sa duhet deri më tash. Duke e ditur se popullata e fshatrave të Malësisë së Bujanocit është ndjekur nga pushtuesi sllavo –serb e është vendosur nëpër vende urbane, dhe thesari i kulturës popullore ka filluar të harrohet, më shkurt të zhduket para syve tanë, do të ishte mirë të gjithë ne, më saktësisht profesionistët të mbledhin atë që ka mbetur pa u zhdukur, sepse ende ka kohë, vetëm duhet entuziazmi dhe vullneti për të investuar në këtë fushë të kulturë. B I B L I O G R A F I 1. Web faqja Wikipedia. 2. Materiale nga arkivi QRTK-së, Gjilan. 3. Hartë e vjetër e ofruar nga Fatmir Krasniqi. 4. Akademia e Shkencave e RPSH, Instituti i Kulturës Popullore, “Kultura Popullore”, nr. 2, 1984, Tiranë. (Nga punimi i Agron Xhagollit me titullin, Gjurmime albanologjike-folklor dhe etnologji XII-1982, Prishtinë 1982, fq. 201-202, kapitulli, Kritikë e bibliografi). 5. BIK –dega ne Gjilan, (Mulla Agimi dhe Mulla Ramadani) dhe magjistri i historisë dhe osmanologjisë, Agron Islami nga Pidiçi. 6. Nga intervista e Ramiz Abdullahut, bërë nga Ismet Tafili, më 10. 4. 2010 në Gjilan. 7. Nga rrëfimet e Rexhep Kadriut nga Lluçani për kishën e Pribocit. 8. Aleksandër Meksi, – Arkitektura e kishave të Shqipërisë (Shek. VII-XV), Tiranë,
  3. SHABAN REXHEPI 30 Nëntor, 2014 te 5:27 pm #

    PSE NUK PERMENDET EMRI I PRONARIT TË VENDIT KU EKZISTOJNË THEMELET KISHËS.SHUMICA E BANORËVE E SIDOMOS ATA TË MOSHËS SE RE AS QË KANË NJOHURI PER KETE VEND.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: